Copy
 


Të nderuar kolegë, miq e bashkëpunëtorë,

Njihuni më poshtë me disa nga aktivitetet kryesore, botimet dhe të rejat më të fundit nga puna jonë gjatë periudhës prill-qershor 2021.


 
Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në vend, duke ndjekur me interes procesin nëpër të cilin ka kaluar Projektligji i ri “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, lancuan një thirrje publike para votimit të tij në seancën plenare të datës 24 qershor 2021. 
Kjo deklaratë ishte në vazhdim të të gjithë reagimeve që OSHC-të kanë patur në lidhje me këtë proces.

Projektligji “Për regjistrimin e Organizatave Jofitimprurëse” u votua në seancën plenare të datës 24 qershor 2021, duke treguar dështimin e Kuvendit të Shqipërisë për të reflektuar mbi shqetësimet e ngritura nga shoqëria civile. Argumentat që u dhanë në foltoren e Kuvendit për përfshirjen e shoqërisë civile në konsultim dhe marrjen parasysh të rekomandimeve ishin gjysëm të vërteta. 

Në një tjetër deklaratë, grupi i organizatave i kërkoi Presidentit të kthejë ligjin për rishqyrtim në parlament. Nëse Presidenti do të dekretojë projektligjin, organizatat e shoqërisë civile, sikurse janë shprehur edhe në thirrjen e fundit më 23 qershor 2021, do ta kundërshtojnë ligjin për anti-kushtetutshmëri në Gjykatën Kushtetuese.
Pas një procesi aktiv gati dy-vjeçar konsultimi dhe bashkëpunimi midis organizatave të shoqërisë civile në të gjithë vendin, kemi kënaqësinë të njoftojmë krijimin e Kodit të Standardeve të Organizatave Jofitimprurëse në Shqipëri, një mekanizëm vetërregullues për sektorin, duke synuar të përmirësojë efektivitetin e punës së organizatave jofitimprurëse, mirëqeverisjen, transparencën dhe llogaridhënien.  

Ai është një tërësi parimesh dhe angazhimesh mbi mënyrën se si organizatat zhvillojnë veprimtarinë e tyre, si ato qeverisen, manaxhojnë burimet, janë transparente dhe llogaridhënëse me të gjithë grupet e interesit, si ndërtojnë marrëdhëniet me mbështetësit dhe donatorët, si manaxhojnë konfliktin e interesave, etj. 

Partnerët Shqipëri po zbaton një program për fuqizimin e sektorit, duke ndihmuar OShC-të në ngritjen e standardeve të tyre të punës si dhe në përdorimin e metodave alternative të mbledhjes së fondeve, drejt një qëndrueshmërie më të madhe financiare dhe organizative. Gjatë kësaj periudhe, në kuadër të projektit # Act4Standards "të mbështetur nga Ambasada Amerikane në Tiranë, zhvilluam 
seanca mentorimi dhe asistence me 30 OJF, 2 sesione diskutimi online, si dhe 12 programe trajnimi mbi çështjet e qendrueshmërisë së OJF-ve, me pjesëmarrjen e 90 organizatave nga i gjithë vendi. 

Lexoni më shumë mbi Kodin e Standardeve për OJF-të 
SKEMA FINANCIMI DHE MBËSHTETJE 

THIRRJE PËR ANËTARË TË RINJ TË RRJETIT HUB-I RINOR PËR BALLKANIN PERËNDIMOR DHE TURQINË – NDËRTIM I KAPACITETEVE, MBËSHTETJE FINANCIARE E MENTORIM PËR OSHC-TË

Ftohen organizatat e vogla dhe të mesme të angazhuara në përmirësimin e pozitës së të rinjve nga komunitete në nevojë në nivel vendor për t’iu bashkuar punës dhe zhvillimit të mëtejshëm të Hub-it Rinor për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë (YBHWBT).

Rrjeti synon të angazhojë drejtpërdrejt 100 OSHC lokale në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut, Serbi dhe Turqi, duke u ofruar atyre trajnime mbi menaxhimin operacional  dhe kontekstin e BE-së si dhe do tu përçojë njohuritë e tyre në lidhje me promovimin dhe pilotimin modeleve të përshtatshme të biznesit dhe punësimit të të rinjve. Gjatë fazës së dytë të programit, 50 nga këto OSHC lokale do të marrin mbështetje financiare dhe mentorim për projektet e tyre.

➡️ APLIKO KËTU 
Ftojmë të gjitha organizatat të paraqesin propozimet e tyre në platformën SMILE.AL, e para platformë crowdfunding në Shqipëri që synon të mbështesë projekte komunitare përmes kontributit që vjen si rezultat i mobilizimit të burimeve financiare dhe jo vetëm, nga donatorë individë dhe institucionalë në vend.

Ndiqni hapat e procesit të prezantuara në këtë ➡️ video tutoriale

Afati i fundit për prezantimin e projekteve është 20 Gusht 2021.

KONKURSI I BIZNESEVE TË GJELBËRTA 2021!

Partnerët Shqipëri organizoi në 8-9 qershor Konkursin e Bizneseve të Gjelbërta 2021!
Katërmbëdhjetë finalistë të përzgjedhur mes konkurrentëve nga sipërmarrje sociale, individë, biznesi i vogël në vend dhe organizata jofitimprurëse, prezantuan idetë e tyre të cilat u vlerësuan nga një juri e pavarur me ekspertë të fushës së ekonomisë, edukimit dhe zhvillimit të biznesit. Fituesit për vitin 2021 ishin:

Fasha 1: Ide biznesi në fazë konceptuale 
➡️ ROMIX TOYS 
➡️ Përmeti’s Yummy Treasures 
➡️ Arka e Shijes  

Fasha 2: Biznes në fazat e para të zhvillimit
➡️ Turi i Lajthive
➡️ Immortelle

Për më shumë mbi këto ide dhe biznese vizitoni linkun në faqen tonë

ZHVILLOHET EVENTI I DYTË RRATHË DHURUES NË SHQIPËRI

Në vijim të nismave për promovimin dhe zhvillimin e filantropisë në Shqipëri, duke synuar rritjen e mbështetjes publike ndaj grupeve në nevojë, Partnerët Shqipëri organizoi mbrëmjen e 24 qershorit ankandin e dytë të dhurimit LIVE “Rrathë Dhurues”, në mbështetje të tre iniciativave të përzgjedhura përmes një procesi aplikimi, të cilat do të transformojnë jetën dhe do të sjellin ndryshime të qendrueshme sociale për komunitete në nevojë.

➡️ “Hapa të vegjël”- Nisma për Ndryshim Shoqëror ARSIS
➡️ “Qendra Multifunksionale Thumanë”- Organizata Vizioni i Ri
➡️ “Këndi i Studimit” – Qendra Tek Ura

Shuma totale e mbledhur prej 3,035,150 Lekë e tejkaloi objektivin e vendosur prej 900,000 lekë në total, duke konfirmuar edhe njëherë ndjeshmërinë qytetare dhe solidaritetin ndaj komuniteteve në nevojë.
EMBRACE- MODELE SIPËRMARRJEJE QË NDËRTOJNË MARRËDHËNIE DHE EKONOMI KRIJUESE 

Që prej vitit 2018, programi EMBRACE ka mbështetur 48 OJF dhe 15 sipërmarrje sociale, për të zhvilluar produkte dhe ofruar shërbime, duke ndikuar në integrimin social dhe zhvillimin ekonomik të grupeve në nevojë, ekspozimin në rrjete kombëtare dhe rajonale, ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme më sektorin e biznesit, dhe në qëndrueshmërinë e tyre institucionale

Në eventin përmbyllës, përfituesit e programit diskutuan disa nga arritjet domethënëse dhe sfidat e qëndrueshmërisë së sipërmarrjeve. 
 
PROJEKTE NË ZBATIM


AKTIVITETE TË QENDRËS KOMBËTARE BURIMORE PËR SHOQËRINË CIVILE NË SHQIPËRI 
 
Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile është një platformë për zhvillimin dhe bashkëpunimin e shoqërisë civile në nivel kombëtar dhe rajonal. Qendra është një projekt i Partnerëve Shqipëri, në vijimësi të punës së dedikuar shumëvjeçare në mbështetjen dhe fuqizimin e sektorit të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë në vend. Iniciativa zbatohet në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD) dhe Lëvizjen Evropiane në Shqipëri (EMA), dhe financohet nga Bashkimi Evropian. 

Njihuni këtu me të rejat më të fundit nga aktiviteti i Qendrës

WORK4YOUTH

WORK4YOUTH është një nismë e PSH që synon të kontribuojë në rritjen e punësimit dhe nxitjen e përfshirjes sociale të të rinjve në zonën ndërkufitare Shqipëri - Mali i Zi, përmes krijimit të një mjedisi mundësues për sipërmarrësit e rinj, për nisjen e biznesit të tyre.

Projekti u lancua zyrtarisht në qershor, në dy evente që u zhvilluan në Podgoricë dhe Shkodër me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverive vendore, institucioneve arsimore, institucioneve të ndryshme financiare dhe publike, sektorit të biznesit dhe turizmit, organizatave dhe të rinjve të interesuar.

Përmes një serie sesionesh informuese të zhvilluara në 6 qytete në Shqipëri dhe Mal të Zi, të rinj të interesuar nga zona ndërkufitare u ftuan për të marrë pjesë në #INNOVATIONBOOTCAMP, një program 5-ditor me fokus ndërtimin e aftësive praktike të të rinjve për t’u përfshirë në veprimtari sipërmarrëse dhe biznesi nëpërmjet përdorimit të qasjeve dhe teknologjive inovative.

Lexoni më shumë mbi këtë iniciativë
 

LËVIZJA RINORE – NJË FAQE E RE PËR KOMUNITETET LOKALE

Lëvizja Rinore – Një Faqe e Re për Komunitetet Lokale është një nismë katër vjeçare e Partnerëve Shqipëri (e nisur në 2019) në kuadër të programit VASS të LevizAlbania, e cila synon të krijojë një lëvizje të të rinjve në të gjithë Shqipërinë duke i edukuar ata me ndjenjën e vullnetarizmit, aktivizmit dhe përgjegjësisë, si dhe forcimin e marrëdhënieve midis të rinjve dhe komuniteteve lokale drejt një demokracie më të fuqishme. 
Një nga aktivitetet e zhvilluara gjatë 
#JavaDemokracisëVendore21 organizuar nga LevizAlbania, ishte RiniaFlet, një event që promovon aktivizmin nga të rinjtë tek të rinjtë! Nxënësit përfaqësues të 8 nismave komunitare të ndërmarra nga shkolla të mesme në Durrës, Pogradec, Tiranë dhe Elbasan ndanë historitë e tyre të suksesit para bashkëmoshatarëve dhe aktorëve të tjerë në nivel vendor.

Lexoni më shumë mbi këtë iniciativë këtu


MONITORIMI I AKTIVITETIT FILANTROPIK NË SHQIPËRI 

Si pjesë e punës së saj për të promovuar aktivitetin filantropik, Partnerët Shqipëri e monitoron atë që prej vitit 2015, duke u bazuar në informacionin e mbledhur nga raportimet në media, dhe informacionet e publikuara nga institucionet publike dhe jopublike. Gjetjet nënvizojnë kauzat kryesore të mbështetura, natyrën dhe vlerën e dhurimeve, mbulimin gjeografik dhe natyrën e dhuruesve.

Vizitoni linkun në faqen tonë ku do të gjeni të gjitha raportet mujore të monitorimit të këtij aktiviteti, që prej janarit 2015, si dhe përmbledhjet vjetore 2015-2020.


PROGRAME TRAJNIMI DHE ASISTENCE PËR ORGANIZATAT E SHOQËRISË CIVILE   

Prej disa muajsh Partnerët Shqipëri po ofron një program asistence për të rritur efektivitetin dhe cilësinë e projekteve të zbatuara nga dhjetë organizata nga mbarë vendi, përfitues të Programit të Granteve të Komisionit të Demokracisë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara. 

Trajnimet e rradhës për këtë periudhë u fokusuan në ✅ Komunikimin Strategjik në organizata dhe ✅Advokaci dhe Lobim, ndërkohë që paralelisht janë realizuar edhe asistenca individuale me përfaqësues të organizatave përfituese rreth çështjeve të ndryshme që lidhen me zbatimin e projekteve respektive.
MEDIA - STUDIME - PUBLIKIME
Kemi kënaqësinë të ndajmë me ju disa nga arritjet dhe impaktin e punës sonë gjatë vitit të kaluar, pasqyruar në Raportin Vjetor 2020 !
Ka qenë një vit i paprecedent, gjatë të cilit bota u përball me sfidën më të madhe në njëqind vitet e fundit, pandeminë e Covid-19.
Si një ekip u bashkuam për të mbështetur njëri-tjetrin në këto kohë të vështira emocionalisht, por edhe për të mbështetur përfituesit tanë, nga përfituesit e granteve të OJF-ve te sipërmarrjet sociale, e sektori jo-fitimprurës në tërësi. 
Viti 2020 ka qenë testi më i madh i rezistencës që mund të kemi imagjinuar ndonjëherë për ne si individë, institucionet që punojmë e drejtojmë, sistemet e ofrimit dhe të manaxhimit të shërbimeve që kemi krijuar, por ndjehemi shumë krenarë që kemi bërë më të mirën për t’u përballur me sfidat dhe për t’i adresuar ato, ndërsa janë akoma të pranishme.
Falenderojmë përzemërsisht të gjithë kolegët, partnerët dhe institucionet mbështetëse për besimin në punën dhe profesionalizmin tonë.


Shfletoni raportin këtu

Publikohet Matrica e Monitorimit mbi Mjedisin Mundësues për Zhvillimin e Shoqërisë Civile, Raporti për Shqipërinë 2020!
Ndër gjetjet e tij, evidentohet se disa nisma të rëndësishme ligjore, pjesë e paketës Kundër Pastrimit të Parave / Luftës kundër Financimit të Terrorizmit, përfshirë ligjin e ri "Për Regjistrimin e Organizatave Jo-Fitimprurëse", u përgatitën përmes një procesi jo-përfshirës, duke mos marrë parasysh rekomandime të rëndësishme nga organizatat e shoqërisë civile, duke kufizuar kështu lirinë e organizimit dhe veprimtarinë e OSHC-ve. 
Për më shumë lexoni raportin e plotë këtu (në anglisht, së shpejti edhe në shqip)

BCSDN publikon Raportin e Matricës së Monitorimit mbi Mjedisin Mundësues për Zhvillimin e Shoqërisë Civile në Ballkanin Perëndimor (Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe Serbi) për vitin 2020!

Shfletojeni këtu (në anglisht)
Përgjatë tre dekadave të veprimtarisë së sektorit jo-fitimprurës diversifikimi dhe  qendrueshmëria financiare ka qenë dhe vazhdon të jetë një ndër sfidat kryesore  për organizatat jo-fitimprurëse (OJF). Shumë organizata në vend, varen nga  fonde me bazë projektesh të mbështetura nga donatorë, kryesisht donatorë  ndërkombëtarë. Mbështetja e shtetit ndër vite, si financiare dhe jo-financiare, mbetet në nivele të ulta.

Partnerët Shqipëri dhe Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile, sjellin në vëmëndje të organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve e aktorëve të tjerë këtë hulumtim me qëllim prezantimin e fondacioneve komunitare, në mbështetje të fuqizimit të sektorit të shoqërisë civile e komuniteteve lokale.

Shfletojeni këtu
Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian prej 30 vitesh është projekti më madhor i shtetit dhe shoqërisë shqiptare, që lidhet drejtpërdrejt më procesin reformues dhe ngritjen e institucioneve demokratike në vend.

Ky proces, ku të gjithë janë të interesuar dhe të ndikuar, nuk mund të jetë monopol i vetëm një sektori dhe aktori, por përkundrazi si kusht thelbësor për suksesin dhe arritjen e qëllimeve të tij ka: gjithëpërfshirjen aktive. Për ta arritur atë duhet pra të krijohen hapësira informomi, bashkëpunimi dhe angazhimi për të gjithë aktorët si shtetërorë, ashtu dhe ata jo-shtetërorë si shoqëria civile, komuniteti i biznesit, akademia, media dhe grupe të tjera të interesit.

Në këtë prizëm, shoqëria civile luan një rol kyç në monitorimin, konsultimin dhe vlerësimin e veprimeve, masave dhe zhvillimeve në kuadër të procesit të integrimit europian të vendit.


Lexoni më shumë këtu

Ndiqni këtë dokumentar që pasqyron rrugëtimin tre-vjecar të programit #EMBRACE, pjesë e punës sonë në mbështetje të sipërmarrjes sociale.
 
Partnerët Shqipëri ka përgatitur një seri materialesh edukuese dhe promovuese mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit (AML/CTF), të përgatitura në kuadër të përpjekjeve tona për të mbrojtur dhe zhvilluar mjedisin mundësues për Organizatat Jofitimprurëse (OJF) në vend, financuar nga Projekti Global i GIZ ‘Lufta kundër qarkullimit të paligjshëm të fondeve’. 
Këto publikime janë pjesë e një iniciative të gjerë edukuese, promovuese dhe advokuese të Partnerëve Shqipëri, për të siguruar se shoqëria civile në Shqipëri është e angazhuar në mënyrë proaktive në debatin mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, si dhe për të advokuar mbi kufizimet për OJF-të në kuadër të ML/TF.
 
➡️ Boshurë informuese që shpjegon Grupin e Posaçëm të Veprimit Financiar (FATF) 

➡️ Boshurë informuese që shpjegon Rekomandimin 8 të FATF “Për Organizatat Jofitimprurëse” 

➡️ Boshurë informuese që ofron informacion mbi parimet e Qasjes së Bazuar në Risk që vendet duhet të ndjekin për të rregulluar sektorin e OJF-ve

➡️ Boshurë informuese që prezanton shembuj dhe efektet e mbirregullimit të sektorit të OJF-ve 

➡️ Një broshurë informuese mbi parandalimin e kufizimeve për OJF-të në emër të AML/CTF 

➡️ Spot televiziv që shpjegon efektet e pasojave të masave të mbi-rregullimit të miratuara nga qeveritë në veprimtarinë e OJF-ve në kuadër të AML/CTF

➡️ Spot televiziv që shpjegon përpjekjet globale në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit

➡️ Spot TV që shpjegon Rekomandimin 8 të FATF "Për Organizatat Jofitimprurëse"
 
Ky Raport Vlerësimi i përgatitur nga Partnerët Shqipëri konsiston në një analizë të kornizës ligjore dhe rregullatore kundër financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave që prek organizatat jofitimprurëse në Shqipëri, krahasuar me Rekomandimin 8 të FATF dhe Shënimin Interpretues lidhur me organizatat jofitimprurëse. 

Shfletojeni këtu (në anglisht)


 
TË TJERA
 

SAMITI EVROPIAN I EKONOMISË SOCIALE #EUSES2021

Juliana Hoxha, Drejtore e Partnerëve në Shqipëri dhe Klotilda Kosta, Drejtore e Programeve, ishin ndër folëset kryesore në panelet Sipërmarrja Sociale në Ballkanin Perëndimor: Mënyrat për të hapur rrugën e shpejtë drejt zhvillimit të qëndrueshëm, dhe Ekonomi Sociale më e Fortë: Perspektivat për bashkëpunim dhe zhvillim nga organizatat ndërmjetëse në rajon.
Ky diskutim nxori në pah nevojën për rritjen dhe forcimin e partneritetit dhe bashkëpunimit mes aktorëve kryesorë në nivel rajonal dhe evropian, për të zhvilluar më tej iniciativat në mbështetje të sipërmarrjes dhe ekonomisë sociale.

 
 

RESILIENCE +

Në vitin 2021, korniza Resilience + e zhvilluar nga Partners Global vijoi të zbatohej në 7 vende: Serbi, Gjeorgji, Senegal, Nigeri, Kenia, Tanzani dhe Ekuador.
Partnerët Shqipëri janë pjesë e ekipit ndërkombëtar të trajnerëve që po punojnë me organizata të shoqërisë civile në këto vende. Gjatë muajve të fundit, kemi punuar me 3 organizata në Tanzani, duke i udhëhequr ato përmes procesit të vlerësimit të kapaciteteve të brendshme dhe analizës së ekosistemit.

Lexoni më shumë këtu

 
Rrjeti Ballkanik për Zhvillimin e Shoqërisë Civile (BCSDN) inkurajon OShC-të, rrjetet, mediat dhe aktivistët nga Ballkani Perëndimor të aplikojnë për financime të ofruara përmes Thirrjes për Grante Ad-hoc. Grantet synojnë të mbështesin aktorët e mësipërm për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve dhe presioneve që pengojnë hapësirën qytetare!  

Lexoni më shumë këtu


 
Nëse nuk keni patur mundësi të njiheni me faktet dhe arritjet kryesore të Partnerëve Shqipëri në 20 vite, vizitoni linkun në faqen tonë.

 

NA NDIQNI NË 
Facebook: @partnersalbania
Instagram: @PartnersAlbania
Twitter: @PartnersAlbania
Youtube: PartnersAlbania
Linkedin: Partners Albania for Change and Development



Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim
Rruga e Elbasanit, ndërtesa Park Gate, kati i 10-të,
Ap. 71 / 73, Tiranë
Tel: +355 4 2254881 ​
Mob: 0697889600  
partners@partnersalbania.org
 http://www.partnersalbania.org