Copy
 
Të nderuar kolegë, miq e bashkëpunëtorë,

Njihuni më poshtë me disa nga aktivitetet kryesore, botimet dhe të rejat më të fundit nga puna jonë gjatë periudhës tetor - dhjetor 2021.

 


  STANDARDS4NPO.AL 

standards4npo.al është mekanizmi më i ri online që u vjen në ndihmë organizatave duke u mundësuar një vlerësim paraprak dhe të shpejtë të praktikave dhe standardeve të punës dhe manaxhimit të tyre, si dhe duke ofruar sugjerime për përmirësim, përkundrejt zbatimit të parimeve dhe angazhimeve të Kodit të Standardeve, një set prej 4 parimesh bazë dhe 7 angazhimesh, që synon të udhëheqë mënyrën se si organizatat kryejnë punën e tyre dhe ndërmarrin veprime për përmirësimin e rezultateve të kësaj pune në të ardhmen.
Platforma standards4npo.al u zhvillua në kuadër të projektit 
“Act for Standards - Ndërtimi i besimit, llogaridhënies dhe qëndrueshmërisë në organizatat e shoqërisë civile”, mbështetur nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

▶️ KRYEJ VETËVLERËSIMIN
SKEMA FINANCIMI DHE MBËSHTETJE 

   PROGRAMI I SHOQËRISË CIVILE PËR SHQIPËRINË DHE KOSOVËN 

Në datë 5 nëntor, kishim kënaqësinë të kishim në zyrën tonë Z. Mr. Henrik Width, Zëvendës Ambasador i Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë në një takim me organizatat përfituese të thirrjes së tretë të "Programit të Shoqërisë Civile për Shqipërinë dhe Kosovën", që zbatohet nga KCSF në partneritet me Partnerët Shqipëri.
Projektet e mbështetura përmes këtij raundi, me një buxhet total prej 128,000 Euro, do të kontribuojnë në fushat tematike si: mosdiskriminimi dhe grupet e margjinalizuara, media e pavarur, mbrojtja e mjedisit dhe anti-korrupsioni.
Që prej 2018, në kuadër të këtij programi Norvegjia ka mbështetur me rreth 1.5 milion euro, 46 projekte të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë (27) dhe Shqipëri (19). 

 SMILE.AL 

SMILE.AL është e para platformë crowdfunding në Shqipëri që synon të mbështesë projekte komunitare përmes kontributit që vjen si rezultat i mobilizimit të burimeve financiare dhe jo vetëm, nga donatorë individë dhe institucionalë në vend.
Platforma www.smile.al është një iniciativë e Fondacionit Credins, në partneritet me Partnerët Shqipëri, Vodafone Albania dhe Grant Thornton Albania.

Në kuadër të punës për ngritjen e standardeve të OSHC-ve, Partnerët Shqipëri ofroi mentorim dhe asistencë teknike individuale për OJF-të, mbi hartimin dhe zbatimin e fushatave Crowdfunding, si dhe për përgatitjen e aplikimeve për fushatat e tyre në platformën SMILE.AL.   

➡️  Mbështet projektet 

 IDEJA NGA SHQIPËRIA "THESARET E SHIJEVE TË PËRMETIT" FITUESE NË KONKURSIN BALLKANIK TË IDEVE TË GJELBËRTA 
 
“Thesaret e Shijeve të Përmetit”, një nga bizneset fituese të Konkursit kombëtar të Bizneseve të Gjelbërta 2021, ishte gjithashtu edhe fituese e një prej pesë çmimeve në Konkursin Ballkanik të Ideve të Gjelbërta organizuar në Beograd në tetor.

Në konkursin rajonal që mbahet prej 10 vitesh tashmë, marrin pjesë fituesit e konkurseve kombëtare nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnje Hercegovina dhe Greqia. 

Për më shumë klikoni këtu

 MBËSHTETJE PËR START-UPET 
 
Partnerët Shqipëri së bashku me 10 startupe të reja dhe biznese të gjelbërta të mbështetura përmes programit të saj të sipërmarrjes dhe inovacionit social, ishin pjesë e Panairit Ndërkombëtar të Tiranës organizuar nga Klik Ekspo Group nga 1-4 dhjetor. Panairi krijoi një mundësi të shkëlqyer për promovimin në treg dhe krijimin e lidhjeve të reja të biznesit për këto startupe.
Pjesë e aktiviteteve të ditës së dytë të panairit, ishte edhe prezantimi i platformës Dua Partner Invest, një nga iniciativat më të rëndësishme të Partnerëve Shqipëri në mbështetje të ekosistemit të sipërmarrjes në Ballkanin Perëndimor.
PROJEKTE NË ZBATIM

 AKTIVITETE TË
QENDRËS KOMBËTARE BURIMORE PËR SHOQËRINË CIVILE NË SHQIPËRI
  

 
Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile është një platformë për zhvillimin dhe bashkëpunimin e shoqërisë civile në nivel kombëtar dhe rajonal. Qendra është një projekt i Partnerëve Shqipëri, në vijimësi të punës së dedikuar shumëvjeçare në mbështetjen dhe fuqizimin e sektorit të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë në vend. Iniciativa zbatohet në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD) dhe Lëvizjen Evropiane në Shqipëri (EMA), dhe financohet nga Bashkimi Evropian. 

➡️ Njihuni këtu me të rejat më të fundit nga aktiviteti i Qendrës

 #ACT4STANDARDS - RRITJA E STANDARDEVE TË OSHC-VE 

185 përfaqësues të OSHC-ve në mbarë vendin (Shkodër, Lezhë, VauDejës, Vlorë, Fier, Selenicë, Berat, UraVajgurore, Kuçovë, Korçë, Pogradec, Librazhd, Kukës, Tiranë) ishin pjesë e 14 programeve të trajnimit dhe sesioneve të diskutimit organizuar nga Partnerët Shqipëri përgjatë muajve të fundit, si pjesë e iniciativës #Act4Standards, një program për fuqizimin e sektorit në ngritjen e standardeve të tyre të punës si dhe në përdorimin e metodave alternative të mbledhjes së fondeve, drejt një qëndrueshmërie më të madhe financiare dhe organizative.

Gjatë trajnimeve u fokusuam në prezantimin e Kodit të Standardeve për OSHC-të dhe diskutimin e praktikave të mira të standardeve organizatave dhe zbatimit të tyre në veprimtarinë e OSHC-ve. 

 KRIJIMI I PARTNERITETIT EFEKTIV MES SHOQËRISË CIVILE DHE BIZNESIT 

Partnerët Shqipëri zhvilloi 4 evente rajonale OJF-Biznes Speed Dating me qëllim krijimin e urave të bashkëpunimit dhe eksplorimin e mundësive konkrete të partneritetit mes dy sektorëve. 

49 përfaqësues të bizneseve dhe OJF-ve lokale nga mbarë vendi u mblodhën sëbashku në eventin rajonal në Tiranë, i cili u përshëndet nga znj. Amanda Roberson, Zv. Shefe e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Eventet e tjera u organizuan në Korçë, Shkodër dhe Vlorë, me pjesëmarrjen e
90 bizneseve dhe OJF-ve lokale nga këto rajone.

 TAKIMI I PARË I GRUPIT MBIKQYRËS TË METODOLOGJISË SË VLERËSIMIT TË RISKUT TË OJF-VE NDAJ FINANCIMIT TË TERRORIZMIT 

Në vijim të iniciativës së saj për të siguruar angazhimin aktiv të shoqërisë civile në përpjekjet për të parandaluar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit në Shqipëri, si dhe për të advokuar për një mjedis mundësues të veprimtarisë së OJF-ve në kuadër të PPP/LFT, gjatë 2021, Partnerët Shqipëri në partneritet me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, nisi proçesin për hartimin e Metodologjisë së Vlerësimit të Riskut të OJF-ve ndaj Financimit të Terrorizmit, i cili do të ndihmojë në identifikimin e atyre kategorive të OJF-ve që mund të jenë në risk për t’u prekur nga financimi i terrorizmit, kuptimin e natyrës së rreziqeve ndaj OJF-ve, dhe rishikimin e përshtatshmërisë së masave me qëllim marrjen e veprimeve proporcionale dhe efektive për të adresuar rreziqet e identifikuara.

Ky proces po zbatohet nëpërmjet një qasje të strukturuar dhe pjesëmarrëse me OJF-të, komunitetet fetare dhe institucionet shtetërore përgjegjëse. 

Në dhjetor u organizua takimi i parë i Grupit Mbikqyrës të Metodologjisë së Vlerësimit të Riskut të OJF-ve ndaj Financimit të Terrorizmit, ku anëtarët u njohën me historikun dhe kontekstin e vlerësimit të riskut të FT në sektorin e OJF-ve, metodologjinë dhe procesin. Grupi Mbikqyrës përbëhet nga përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe sektorit të OJF-ve: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Prokuroria e Përgjithshme, Komiteti Shtetëror për Kultet, Policia e Shtetit, Qendra Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Qendra e Gruas Hapa të Lehtë, Qendra SCiDEV, Nisma për Ndryshim Shoqëror Arsis dhe Fondacioni Dorcas Albania.

➡️ Më shumë mbi këtë iniciativë tonën e gjeni këtu

 PËR NJË TREG PUNE NË DOBI TË RINISË SHQIPTARE – PROJEKTI RISI ALBANIA 

Punësimi i të rinjve, një prioritet i vazhdueshëm për Shqipërinë ka qenë objektivi kryesor i RisiAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC. 

Projekti zhvilloi në nëntor një event për të prezantuar rezultatet, impaktin dhe për të diskutuar sfidat e përbashkëta në të ardhmen, në praninë e mbi 100 përfaqësuesve të institucioneve publike dhe private në Shqipëri. Eventi u përshëndet nga shkëlqesia e tij Z. Adrian Maître, Ambasador i Zvicrës në Shqipëri, znj. Mirela Kumbaro Furxhi, Ministër i Turizmit dhe Mjedisit, Z. Arlind Gjokuta, Sekretar i Përgjithshëm, Ministria e Financave dhe Ekonomisë si dhe z. Jens Engeli, Drejtor Rajonal, Helvetas për Europën Juglindore. 

RisiAlbania punon për të krijuar më shumë mundësi punësimi dhe mundësi sa më të mira duke u fokusuar në 3 drejtime kryesore: zhvillimi i sektorit privat në Shqipëri, prezantimi dhe përmirësimi i shërbimeve të orientimit në karrierë dhe ndërmjetësimit, si dhe zhvillimin e aftësive në përputhje me tregun, për të përmbushur kërkesat e bizneseve. 


➡️ Lexoni më shumë mbi RisiAlbania

EVENT RAJONAL
“A CLICK AWAY FROM ENTREPRENEURSHIP!”

Në eventin “A click away from entrepreneurship!” që zhvilluam në 20 tetor, sollëm së bashku rreth 70 pjesëmarrës që përfaqësojnë të gjithë aktorët e ekosistemit të sipërmarrjes sociale nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
Audienca pati mundësinë të dëgjojë mbi planet e investitorëve nga Ballkani dhe pritshmëritë e tyre mbi startup-et ku duan të investojnë.
Përfaqësuesit e DG GROW të Komisionit Evropian dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal diskutuan mbi mundësitë, mekanizmat mbështetës dhe rolin e rëndësishëm që startup-et dhe sipërmarrjet e reja mund të luajnë në ekonominë dhe shoqërinë e rajonit.
Përfaqësuesit e qeverisë nga 6 vendet e Ballkanit shkëmbyen punën e tyre në mbështetje të mjedisit të sipërmarrjes në vendet respektive dhe planet e ardhshme në këtë drejtim.
Forumi shërbeu gjithashtu si lançimi zyrtar i platformës Dua Partner Invest.

➡️ Vizitoni linkun për më shumë

 #WORK4YOUTH 

WORK4YOUTH është një nismë e PSH që synon të kontribuojë në rritjen e punësimit dhe nxitjen e përfshirjes sociale të të rinjve në zonën ndërkufitare Shqipëri - Mali i Zi, përmes krijimit të një mjedisi mundësues për sipërmarrësit e rinj, për nisjen e biznesit të tyre.
Më herët gjatë vitit 2021 zhvilluam një seri aktivitetesh në mbështetje të këtij synimi, si Kampet e Inovacionit ku të rinjtë nga zona ndërkufitare Shqipëri - Mali i zi zhvilluan plane biznesi rreth ideve të tyre, si dhe seanca mentorimi për ekipet fituese të të rinjve nga kampet, ofruar nga ekspertë të fushës.

Në nëntor, në Shkodër zhvilluam Forumin Ndërkufitar për Bashkëpunim të Ardhshëm i cili shërbeu për rritjen e kohezionit, shkëmbimit, rrjetëzimit dhe partneritetit midis sipërmarrësve të rinj nga zona ndërkufitare, përmes punës në grupe, sugjerimeve e rekomandimeve të ekspertëve për përmirësime të mëtejshme të ideve të tyre, si dhe prezantimin e mundësive për mbështetje si huatë, apo platformat ndihmëse (Dua Partner Invest).

Ndërsa në dhjetor, në Podgoricë zhvilluam prezantimin e ideve të biznesit, një event që dëshmoi zhvillimin e 14 sipërmarrësve të rinj nga Shqipëria dhe Mali i Zi, prej idesë fillestare në plane ambicioze biznesi, gati për tu prezantuar para investitorëve dhe mbështetësve të mundshëm. Gjatë diskutimeve në grup me institucione, organizata, investitorë dhe partnerë, ata krijuan lidhje për mbështetje dhe bashkëpunim të mëtejshëm. Work4Youth do të vijojë të mbështesë këta sipërmarrës për të realizuar ëndrrën e tyre!

➡️ Më shumë mbi iniciativën Work4Youth e gjeni këtu

 MBËSHTETJE PËR PËRFITUESIT E GRANTEVE NË KUADËR TË RISE - ALB 
 
Në dhjetor zhvilluam një trajnim e mentorim në mbështetje të përfituesve të granteve në kuadër të projektit RISE-ALBANIA ku Partnerët Shqipëri është një prej organizatave zbatuese. Trajnimi shërbeu për të asistuar këto sipërmarrje në mënyrën se si të zhvillojnë fushatat e tyre të marketingut, duke i prezantuar me të gjithë hapat e nevojshëm për realizimin e suksesshëm të një strategjie marketingu, me një fokus të vecantë në kanalet e marketingut dhe marketingun dixhital.
 FORUM RAJONAL "PUNËSIMI I TË RINJVE GJATË PERIUDHËS SË COVID-19" 

Rrjeti Hub-i Rinor për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë (YHWBT) organizoi më 15-16 dhjetor në Tiranë, Forumin Rajonal "Punësimi i të rinjve gjatë periudhës së COVID-19".

Forumi mblodhi së bashku përfaqësues nga qeveria dhe institucionet publike përgjegjëse për çështjet e të rinjve dhe punësimit, zyrat kombëtare të statistikave, studiues, organizata rinore, liderë të rinj, ekspertë dhe media nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia.

Ky event shërbeu si një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar mbi përmirësimin e pozitës së të rinjve dhe zhvillimin e një kuadri ligjor dhe institucional për zbatimin e politikave rinore në nivel kombëtar.

Në Forum u prezantua edhe Indeksi i Pjesëmarrjes Rinore 2020, një raport vjetor monitorimi që ofron një pasqyrë të pjesëmarrjes politike, sociale dhe ekonomike të të rinjve në këto vende, sipas një grupi unik indikatorësh.
 LËVIZJA RINORE – NJË FAQE E RE PËR KOMUNITETET LOKALE 

Përmbyllëm në nëntor serinë e Kampeve të të Rinjve edhe për këtë vit, në kuadër të iniciativës “Lëvizja rinore – Një faqe e re për komunitetet lokale” e cila synon fuqizimin e zërit të të rinjve, promovimin e aktivizmit si dhe krijimin e modeleve nga të rinjtë për të rinjtë.
Tetë kampe u zhvilluan në 8 shkolla5 qytete - Fier, Lushnjë, Patos, Ballsh e Berat. Rreth 160 të rinj pjesëmarrës zhvilluan 21 ide interesante nga të cilat u përzgjodhën 8 ide fituese.

➡️ Lexoni më shumë mbi këtë iniciativë 



 JAVA E FILANTROPISË 2021 

Organizuam edhe këtë vit Javën e Filantropisë! Ky aktivitet që po kthehet në traditë tashmë, vjen në kuadër të punës dhjetë vjeçare të Partnerëve Shqipëri për nxitjen dhe zhvillimin e aktivitetit filantropik në vend duke vlerësuar rëndësinë që ai mbart për avancimin e shoqërisë. 
Përgjatë 8-12 nëntor zhvilluam një seri eventesh si ➡️  Promovim të figurave filantropike ndër vite, ➡️ Leksion i hapur me studentë të gazetarisë, ➡️ Konkurs me video, foto, dhe ese me gjimnazistë, ➡️ Fakte & Histori mbi aktivitetin filantropik në vend përmes raportit mujor të monitorimit të filantropisë, dhe ➡️ Promovim mediatik të punës sonë në këtë drejtim.


 MONITORIMI I AKTIVITETIT FILANTROPIK NË SHQIPËRI  

Si pjesë e punës së saj për të promovuar aktivitetin filantropik, Partnerët Shqipëri e monitoron atë që prej vitit 2015, duke u bazuar në informacionin e mbledhur nga raportimet në media, dhe informacionet e publikuara nga institucionet publike dhe jopublike. Gjetjet nënvizojnë kauzat kryesore të mbështetura, natyrën dhe vlerën e dhurimeve, mbulimin gjeografik dhe natyrën e dhuruesve.

Vizitoni linkun në faqen tonë ku do të gjeni të gjitha raportet mujore të monitorimit të këtij aktiviteti, që prej janarit 2015, si dhe përmbledhjet vjetore 2015-2020.
MEDIA - STUDIME - PUBLIKIME
 
 MONITORIMI I PJESËMARRJES POLITIKE, SOCIALE DHE EKONOMIKE TË TË RINJVE 2020 – RAPORTI PËR SHQIPËRINË 

Ky raport monitorimi u përgatit si pjesë e projektit EMPLOYOUTH - Punësimi i të Rinjve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi,  financuar nga Bashkimi Evropian. Projekti zbatohet nga Ana and Vlade Divac Foundation (Serbi), Aleanca Rinore (Maqedonia e Veriut), Fondacioni i Komunitetit të Vullnetarëve (Turqi), Organizata Prima (Mali i Zi) dhe Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (Shqipëri).
Shfletojeni këtu: 

➡️  Shqip
➡️  English
 
 INDEKSI I PJESËMARRJES RINORE 2020 - RAPORTI RAJONAL 

Indeksi i Pjesëmarrjes Rinore është një metodë unike për matjen dhe pasqyrimin e nivelit të mundësive të të rinjve për t'u përfshirë në procesin e vendimmarrjes, aksesin e tyre në tregun e punës dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën shoqërore. Ai përbëhet nga 22 tregues të pjesëmarrjes politike, ekonomike dhe sociale dhe përfshin një seri të dhënash të mbledhura në pesë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi përgjatë 5 viteve (2016 - 2020), nga anëtarët e rrjetit Hub-i Rinor për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë (YHWBT).

➡️ Shfletojeni këtu në Anglisht (së shpejti edhe në shqip) 
TË TJERA
 
RESILIENCE +

Në kuadër të nismës ResiliencyPlus, Partnerët Shqipëri si pjesë e ekipit të trajnerëve ndërkombëtarë të Partners Global po mentoron një grup organizatash nga Tanzania.

Jemi të lumtur që jemi pjesë e kësaj nisme globale dhe shpresojmë në zbatimin e suksesshëm dhe rezultate pozitive tek organizatat me të cilat kemi punuar. PSh do të sjellë në vitin 2022 këtë model për sektorin jofitimprurës në Shqipëri, duke synuar rritjen e kapaciteteve të OSHC-ve për të parashikuar, përgatitur dhe për t'iu përgjigjur rreziqeve dhe kërcënimeve që vijnë nga një hapësirë qytetare në ndryshim.

Në 1-3 dhjetor, si pjesë e nismës Resiliency +, rreth 70 trajnerë dhe përfaqësues të organizatave nga #Gjeorgjia, #Kenia, #Nigeria, #Senegali, #Serbia, #Tanzania dhe #Ekuadori - u mblodhën në një event global të mësuari dhe rrjetëzimi. Qëllimi ishte reflektimi mbi tendencat në hapësirën qytetare, në nivel vendi dhe nivel ndër-rajonal, si dhe shkëmbimi i përvojave dhe mësimeve të nxjerra mbi Procesin R+.

JAVA GLOBALE E SIPËRMARRJES

Si një nga aktorët kyç në mbështetje të ekosistemit të sipërmarrjes në vend, Partnerët Shqipëri ishte pjesë e Javës Globale të Sipërmarrjes, një seri aktivitetesh në fushën e akademisë, sipërmarrjes, ekosistemit të startup-eve dhe grave sipërmarrëse.

Përmes programit të saj të sipërmarrjes dhe inovacionit social, Partnerët Shqipëri ofron një kontribut të veçantë në këtë fushë, përmes
➡️ kërkimit shkencor, ➡️ edukimit të aktorëve, dhe ➡️ mekanizmave mbështetës për start-upet duke ofruar financim, know-how dhe mundësi rrjetëzimi (Platforma Dua Partner Invest).

 WESTERN BALKANS BUTTERFLY INNOVATION & BUSINESS FORUM 

Butterfly Innovation & Business Forum  i mbajtur në 16-17 dhjetor, u fokusua në prezantimin e  startup-eve dhe kompanive inovatore të suksesshme si dhe atyre në faza fillestare nga Ballkani Perëndimor, duke u shtuar vizibilitet përpjekjeve të tyre dhe rritur rrjetëzimin me investitorët potencialë.
Si një nga folësit në panelin Përtej teknologjisë: Inovacioni Social në Ballkanin Perëndimor, Klotilda Kosta-Drejtore e Programeve, ndau përvojën e Partnerëve Shqipëri në këtë fushë, me fokus në konceptin e inovacionit social, zhvillimet, sfidat dhe të ardhmen e tij në rajon.
Panelistët arritën në përfundimin se “inovacioni social nuk është vetëm një trend, ai do të qëndrojë me ne për një kohë të gjatë dhe të gjithë palët e interesuara duhet të kontribuojnë dhe bashkëpunojnë për të krijuar zgjidhje të përbashkëta”.


➡️ Ndiqni diskutimin e plotë këtu

 #NAD2021

Partnerët Shqipëri iu bashkua edhe këtë vit panairit të aktivizmit #NAD2021 organizuar në Ditën Kombëtare të Aktivizmit. Përmes programeve të saj, Partnerët Shqipëri punon dhe kontribuon për fuqizimin e organizatave të shoqërisë civile dhe rritjen e rolit të tyre si agjentë ndryshimi në zhvillimin e komuniteteve lokale, si dhe nxit aktivizmin rinor përmes mbështetjes së të rinjve në zbatimin e iniciativave komunitare të ndërmarra nga vetë ata në bashkëpunim me komunitetet lokale, institucionet e qeverisjes vendore, institucionet arsimore, OJF-të lokale dhe median.
 
 MBLEDHJA VJETORE E RRJETIT TË PARTNERËVE 
 
Anëtarët e rrjetit global të Partnerëve, u mblodhën së bashku virtualisht gjatë 16-18 nëntor në takimin e tyre vjetor, duke ndarë mes kolegësh sfidat e një viti tjetër të vështirë që kaluam, si dhe përpjekjet e përbashkëta në adresimin e tyre dhe në arritjen e objektivave që na bashkojnë. #PartnersNetwork

 #20VJETPARTNERETSHQIPERI 
 
Festuam krenarë në 2021 përvjetorin tonë të 20-të! Nëse nuk keni patur mundësi të njiheni me faktet dhe arritjet kryesore të Partnerëve Shqipëri në 20 vite, vizitoni linkun në faqen tonë. Faleminderit që na besoni!

NA NDIQNI NË 
Facebook: @partnersalbania
Instagram: @PartnersAlbania
Twitter: @PartnersAlbania
Youtube: PartnersAlbania
Linkedin: Partners Albania for Change and Development



Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim
Rruga e Elbasanit, ndërtesa Park Gate, kati i 10-të,
Ap. 71 / 73, Tiranë
Tel: +355 4 2254881 ​
Mob: 0697889600  
partners@partnersalbania.org
 http://www.partnersalbania.org