Copy
Të nderuar kolegë, miq e bashkëpunëtorë,

Njihuni më poshtë me disa nga aktivitetet kryesore, botimet dhe të rejat më të fundit nga puna jonë gjatë periudhës tetor - dhjetor 2022 si dhe aktivitete të ardhshme.
SKEMA FINANCIMI DHE MBËSHTETJE 

 THIRRJE PËR PROPOZIME
 PROJEKTI TWIST: DREJT NJË MODELI TË RI TË SIPËRMARRJES SOCIALE NË ASETET E KONFISKUARA NË SHQIPËRI 

Pas miratimit nga Komiteti Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar të kërkesës së Partnerëve Shqipëri për marrjen në përdorim të tre pronave të konfiskuara të cilat do të ripërdoren nga OJF-të për të ushtruar veprimtarinë e tyre sipërmarrëse, Partnerët Shqipëri shpalli Thirrjen për Projekt Propozime në kuadër të skemës së granteve të projektit “TWIST – Drejt një Modeli të Ri të Sipërmarrjes Sociale në Asetet e Konfiskuara në Shqipëri”.

TWIST synon të kontribuojë në forcimin e efektivitetit të sipërmarrjes sociale si një praktikë e mundshme për rritjen e ripërdorimit social të aseteve të konfiskuara nga krimi i organizuar dhe si një model efektiv i ekonomisë sociale për të ofruar shërbime, aftësi, punësim dhe mbështetje të grupeve të cilat janë vulnerabël dhe në risk të krimit të organizuar.
Objektivi i kësaj Thirrje për Propozime është të mbështesë zhvillimin e sipërmarrjeve sociale ekzistuese dhe të reja, si në asete të konfiskuara nga krimi i organizuar për ripërdorim social, ashtu edhe atyre sipërmarrjeve sociale që adresojnë nevojat e komunitetit.

Më herët, gjatë muajit nëntor u mbyll cikli i trajnimeve rajonale 5 ditore “Zhvillimi i Sipërmarrjes Sociale në Shqipëri dhe Menaxhimi i Aseteve të Konfiskuara Përmes tyre, si Praktikë e Ripërdorimit Social” i organizuar në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë me pjesëmarrjen e rreth 90 përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile dhe bashkive.  Pjesëmarrësit u njohën dhe diskutuan mbi aspekte të ndryshme lidhur me sipërmarrjen sociale dhe ripërdorimin social të aseteve të konfiskuara.
Veçanërisht në trajnim u theksua rëndësia e bashkëpunimit strategjik ndërmjet sipërmarrjeve sociale, organizatave të shoqërisë civile dhe autoriteteve në nivel vendor dhe kombëtar për të përmirësuar ripërdorimin social të aseteve të konfiskuara. 


➡️ Klikoni këtu për më shumë informacion mbi Thirrjen dhe mënyrën e aplikimit
 
   
 
 PROGRAMI I SHOQËRISË CIVILE PËR SHQIPËRINË DHE KOSOVËN 

Pesë OJF-të e mbështetura përmes Thirrjes së III, përfunduan zbatimin e nismave të tyre duke kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi të drejtat e komunitetit Rom dhe Egjiptian, komunitetit LGBTI+, përmirësimin e shërbimeve për grupet e margjinalizuara, sigurimin e një mjedisi mundësues për media të lirë dhe të pavarur, rritjen e transparencës së institucioneve në drejtim të informimit publik si dhe mbrojtjen e mjedisit dhe zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qendrueshëm në këtë drejtim. 
Që prej nisjes së tij në 2018, Programi i Shoqërisë Civile për Shqipërinë dhe Kosovën mbështeti 46 projekte (27 në Kosovë dhe 19 në Shqipëri), të fokusuara në pesë fusha tematike si mos diskriminimi dhe barazia gjinore; mediat e pavarura; pakicat dhe grupet e margjinalizuara; mbrojtja e mjedisit dhe lufta kundër korrupsionit. 


Shfletoni këtu një broshurë me histori suksesi nga zbatuesit e granteve të këtij programi.
 
   
 
 MBËSHTETJE PËR ORGANIZATAT JOFITIMPRURËSE NË FUQIZIMIN ORGANIZATIV 
 DHE PËRMIRËSIMIN E TRANSPARENCËS E LLOGARIDHËNIES

Në vijim të punës së deritanishme për mbështetjen e organizatave jofitimprurëse në përmirësimin dhe rritjen e kapaciteteve organizative në zbatimin e praktikave mirëqeverisëse, transparente dhe llogaridhënëse, Partnerët Shqipëri  mundësoi pajisjen me Software për Menaxhimin Financiar, “Alpha Cloud”, si dhe trajnim e asistencë teknike për përdorimin e tij për 13 OJF të interesuara për të zhvilluar sistemet e tyre të menaxhimit financiar për një menaxhim sa më efektiv dhe në përputhje me Standardet Kombëtare të Kontabilitetit.
 
   
 
 VIJOJNË INICIATIVAT E MBËSHTETURA PËRMES RRATHË DHURUES 2022 

Tre iniciativat e mbështetura përmes eventit "Rrathë Dhurues 2022" organizuar nga Partnerët Shqipëri, po vijojnë konkretizimin duke bërë realitet ofrimin e shërbimit stomatologjik për mbi 400 fëmijë të Njësisë Administrative nr. 4 në Tiranë; bibliotekën e shkollës “Ferraj” për 148 nxënësit e saj, si dhe ndërtimin e një hapësire rekreative për moshat e treta në qytetin e Shkodrës.

➡️ Për më shumë mbi inciativat vizitoni këtë link
 

 VIZITË STUDIMORE E MENTORËVE DHE SIPËRMARRËSVE NGA BALLKANI PERËNDIMOR 

Mentorë dhe sipërmarrës nga vendet e Ballkanit Perëndimor, zhvilluan një vizitë studimore në Shqipëri gjatë muajit nëntor, ku diskutuan mbi potencialin e të rinjve për të zhvilluar biznese të gjelbërta në vendin e tyre si dhe ndanë eksperiencat në organizimin e konkurseve kombëtare të bizneseve të gjelbërta. Ata vizituan dhe mësuan më shumë rreth rrugëtimit të disa sipërmarrjeve sociale të gjelbërta, përkatësisht: 
➡️ Rinora Handmade e fokusuar në prodhimin e sfungjerëve natyralë dhe sapunëve artizanalë, fituese në nivel kombëtar dhe rajonal në Konkursin e Bizneseve të Gjelbërta 2019.
➡️ Qukapiku Lodra Edukative e fokusuar në prodhimin e lodrave edukative prej druri për fëmijë, fituese në Konkursin e Bizneseve të Gjelbërta 2022.
➡️ Qendra për Edukim Kulinar e fokusuar në promovimin e ushqimit tradicional shqiptar dhe produkteve vendase, fituese në Konkursin e Bizneseve të Gjelbërta 2019.
➡️PEMLA.al e fokusuar në prodhimin e gjalpit të arrorëve, e cila përdor përbërës lokalë duke synuar zhvillimin e zonave dhe komuniteteve rurale lokale, fituese në Konkursin e Bizneseve të Gjelbërta 2019.
➡️ Mrizi i Zanave, një agroturizëm i mirënjohur që ofron shërbime akomodimi dhe ushqimi, furnizuar nga produktet e fermerëve vendas, familjeve dhe komunitetit të zonës së Lezhës.

 
PROJEKTE NË ZBATIM

 AKTIVITETE TË QENDRËS KOMBËTARE BURIMORE PËR SHOQËRINË CIVILE
NË SHQIPËRI 

 
Që prej krijimit në vitin 2019, Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri ka konsoliduar rolin e saj si një platformë për shoqërinë civile në nivel kombëtar e lokal, ✔️në mbështetje të fuqizimit të kapaciteteve të sektorit, ✔️nxitjes dhe lehtësimit të dialogut në politikëbërje dhe ✔️përpjekjeve advokuese për një mjedis mundësues. 

Qendra Kombëtare Burimore ka hapur thirrjen për aplikime për pjesëmarrje në Akademia e OJF-ve 2023. APLIKO TANI!

Njihuni me të rejat më të fundit nga aktiviteti i Qendrës Kombëtare Burimore

 
     BASHKËPUNIMI EFEKTIV PËR ZHVILLIM 

Gjatë kësaj periudhe, Partnerët Shqipëri, si pikë fokale e Partneritetit të OJF-ve për Zhvillim Efektiv (CPDE), organizoi një seri diskutimesh me OJF-të dhe aktorët e tjerë mbi bashkëpunimin efektiv për zhvillim. 

➡️ Forumi Përgjegjshmëria e OJF-ve në Bashkëpunimin për Zhvillim Efektiv mbajtur më datë 7 tetor mblodhi rreth 55 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në vend dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, donatorë dhe institucione të tjera partnere, të cilët diskutuan mbi përgjegjshmërinë e OJF-ve dhe rolin në partneritetet për zhvillim efektiv.
Forumi u fokusua në prezantimin dhe diskutimin e gjetjeve paraprake të Vetëvlerësimit të OJF-ve mbi zhvillimin efektiv bazuar në parimet e Stambollit, si dhe në pjesën e dytë pjesëmarrësit iu bashkuan online Forumit Rajonal të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi bashkëpunimin Donatorë – OJF për një shoqëri civile më të përgjegjshme në rajon. Partnerët Shqipëri prezantoi Kodin e Standardeve për OJF-të në Shqipëri, si një praktikë vetë-rregulluese për rritjen e transparencës, përgjegjshmërisë dhe efikasitetit të OJF-ve në vend. 


➡️ Dialogu ndërmjet OJF-ve dhe Sipërmarrjeve Sociale mbajtur në 28 tetor, mblodhi 52 sipërmarrës socialë, përfaqësues të institucioneve kërkimore, institucioneve financiare, organizatave rinore dhe organizatave mbështetëse, rrjeteve dhe përfaqësues të komunitetit donator, të cilët theksuan rëndësinë e ndërmarrjes së nismave advokuese për bashkëpunimin për zhvillim ndërmjet organizatave jofitimprurëse dhe sipërmarrjeve sociale, bazuar në sfidat dhe mundësitë aktuale në vend.  

➡️ Dialogu ShumëPalësh për Efektivitetin e OJF-ve  zhvilluar në 21 nëntor mblodhi 45 përfaqësues të institucioneve publike, komunitetit donator dhe organizatave të shoqërisë civile, të cilët diskutuan mbi arritjet dhe sfidat nga perspektiva e tyre në lidhje me pjesëmarrjen efektive të OJF-ve në bashkëpunimin për zhvillim.  Në takim u theksua rëndësia për të patur një angazhim më të lartë për dialog, transparencë, konsultime efektive, bashkëpunim, dhe partneritet të ndërsjelltë në mbështetje të zbatimit të prioriteteve të vendit.  


 TRAJNIM RAJONAL "LUFTA NDAJ ABUZIMIT TË MUNDSHËM TË OJF-VE PËR PASTRIMIN E PARAVE DHE FINANCIMIN E TERRORIZMIT 

Zhvilluam në muajin dhjetor një trajnim rajonal me organizata nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, rreth mekanizmave dhe masave për të adresuar rrezikun e mundshëm të abuzimit të OJF-ve për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.  
Ky ishte i pari i një serie trajnimesh që do të organizohen nga Partnerët Shqipëri dhe Shoqata Konekt në Maqedoninë e Veriut, në bashkëpunim me Human Security Collective.    

 

 RRITJA E ADAPTUESHMËRISË SË ORGANIZATAVE TË SHOQËRISË CIVILE NË NDRYSHIMET E HAPËSIRËS QYTETARE  - RESILIENCY + 

Në kuadër të programit Resiliency+ kemi vijuar punën me ekspertët tanë duke mentoruar dhe asistuar organizatat Streha LGBT, Qendra ALTRI dhe Qendra e Gruas “Hapa të Lehtë”, për përmirësimin e një serie procesesh dhe politikash organizative që do të fuqizojnë më tej organizatat dhe rrisin shanset për adaptueshmëri dhe qëndrueshmëri. 

Disa nga fushat kryesore të mentorimit dhe asistencës me tre organizatat dhe stafet e tyre ishin ✔️diversifikimi i burimeve të financimit, ✔️komunikimi kreativ dhe menaxhimi i imazhit publik, ✔️adaptimi i teknologjive të reja, ✔️lidhja me mbështetësit, ✔️investimi në burimeve njerëzore dhe ✔️mirëqënia e mbështetja e stafit.  

Me kënaqësi ndajmë lajmin që gjatë vitit 2023, Resiliency + do të vazhdojë me 3 organizata të reja, si dhe follow-up të 3 organizatave tashmë pjesë e programit.

 
 
 KODI I STANDARDEVE PËR OJF-TË NË SHQIPËRI 

Vijon anëtarësimi i organizatave në Kodin e Standardeve! Muajt e fundit i janë bashkuar Qendra psiko - sociale “Vatra”, COSV në Shqipëri, Forumi i Gruas Elbasan, Shoqata Kombëtare Edukim për Jetën - (SHKEJ), Shoqata “AlbContact” dhe Fondacioni “Fryma e Dashurisë” – Diakonia Agapes.

Procesi i anëtarësimit është i hapur në çdo kohë. Ftojmë organizatat të dërgojnë shprehjen e interesit dhe dokumentacionin e nevojshëm në platformën Standards4npo.al

Ndërkohë inkurajojmë OSHC-të të përdorin mekanizmin vetëvlerësues online Standards4NPOs.AL krijuar për t'i ndihmuar ato të vlerësojnë në mënyrë cilësore (sugjerime automatike me shkrim) dhe sasiore (sistem vlerësimi i pikëzuar) standardet e qeverisjes; procedurat administrative dhe financiare; politikat e burimeve njerëzore (punësimi/ shkarkimi/promovimi); llogaridhënien ndaj përfituesve/anëtarëve; financimin, mbledhjen e fondeve dhe menaxhimin e burimeve; advokimin e përgjegjshëm dhe ndërtimin e partneritetit, si dhe shumë aspekte të tjera.


Mekanizmi Vetëvlerësues gjendet në platformën web https://standards4npo.al/ si dhe aplikacion mobile për IOS dhe Android.
 
 
 FORUME RAJONALE DISKUTIMI “FORCIMI I PARTNERITETIT DHE BASHKËPUNIMIT SHOQËRI CIVILE-MEDIA" 

Përgjatë muajve të fundit të 2022, PSh organizoi një seri forumesh diskutimi rajonale në qytetin e Tiranës, Vlorës, Shkodrës, Durrësit dhe Korcës, duke sjellë bashkë në një hapësirë diskutimi rreth 100 përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, gazetarë dhe media. Forumet synuan krijimin e urave të bashkëpunimit me median në funksion të ngritjes së problematikave të evidentuara nga puna e OSHC-ve me komunitetet lokale të cilave u shërbejnë. 
 
 #WORK4YOUTH 

Jemi krenarë të shohim që pas dy vitesh punë dhe mbështetje intensive, 32 të rinj me shpirt sipërmarrës nga qarku i Shkodrës, dhe bashkitë e Tivarit, Tuzit dhe Podgoricës janë gati të hyjnë në treg dhe të kontribuojnë me idetë e tyre të biznesit në rritjen e punësimit dhe zhvillimin e komuniteteve të tyre.

➡️  Në Prezantimin e Ideve të Biznesit të zhvilluar në Shkodër në muajin nëntor, sipërmarrësit e rinj nga zona ndërkufitare Shqipëri – Mali i Zi prezantuan planet e tyre të biznesit të zhvilluara së bashku me mentorë dhe ekspertë, të cilat janë gati për mbështetje nga skemat vendore dhe kombëtare të financimit, si dhe nga investimet private në të dy vendet.
Aktiviteti u përshëndet nga znj. Edona Bilali, Ministre e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, e cila prezantoi programe dhe iniciativa të ndryshme qeveritare në mbështetje të sipërmarrjes dhe punësimit të të rinjve, duke ftuar sipërmarrësit e rinj të aplikojnë në këto mekanizma mbështetës. Përfaqësues të pushtetit vendor nga zona ndërkufitare, diskutuan rreth mundësive të tjera që u ofrohen sipërmarrësve të rinj në nivel vendor.


➡️  Konferenca përmbyllëse e iniciativës ndërkufitare Work4Youth e zhvilluar në dhjetor, mblodhi bashkë rreth 90 të rinj sipërmarrës, përfaqësues të institucioneve vendore dhe aktorë të rëndësishëm në fushën e zhvillimit të sipërmarrjes, për të ndarë sëbashku arritjet e Work4Youth në dy vjet, sfidat dhe rekomandime për politika dhe mekanizma në mbështetje të sipërmarrjes dhe punësimit rinor.

Ne mbetemi të përkushtuar të vazhdojmë të mbështesim e promovojmë sipërmarrjet dhe start-upet e reja.


➡️ Më shumë mbi iniciativën Work4Youth e gjeni këtu
 

 "WESTERN BALKANS YOUTH SOCIAL ECONOMY ALLIANCE" 

28 dhjetor 2022 shënoi përfundimin e projektit “Western Balkans Youth Social Economy Alliance”. Një sërë aktivitetesh në kuadër të tij u zhvilluan përgjatë muajve tetor – dhjetor 2022:

➡️ TRAJNIMI I DYTË PËR EKONOMINË SOCIALE - zhvilluar në 21-26 tetor në Podgoricë. Në trajnim morën pjesë dy të rinj të përzgjedhur nga Shqipëria, me synim për të mësuar më shumë mbi Ekonominë Sociale, karakteristikat e Sipërmarrjeve Sociale, mundësinë e punësimit dhe vetëpunësimit të të rinjve në sipërmarrje të reja sociale, si dhe ndjekjen e hapave për të kthyer idenë në një sipërmarrje sociale.

➡️ SHKOLLA E EKONOMISË SOCIALE - një program 3-ditor i zhvilluar në secilin prej vendeve të Ballkanit Perëndimor nga organizatat zbatuese të projektit, me synim inkurajimin e të rinjve për të ngritur një biznes social, si dhe për t’i mbështetur ata në secilën fazë të rrugëtimit të tyre sipërmarrës, duke ndjekur metodologjinë e zhvilluar si pjesë e aktiviteteve të projektit WB SEA. 

➡️
VIDEO PROMOVUESE TË SIPËRMARRËSVE TË RINJ SOCIALË 
Romix Community Toys” nga Xhenson Çela dhe “Funky Cabins” nga Rizvan Kurti ishin dy sipërmarrësit e rinj socialë nga Shqipëria, të cilët treguan për rrugëtimin e sipërmarrjeve të tyre përmes videove të shkurtra përgatitur nga Partnerët Shqipëri.

➡️ POTENCIALI I EKONOMISË SOCIALE NË RAJONIN E BALLKANIT PERËNDIMOR – KONFERENCA PËRFUNDIMTARE E PROJEKTIT 
Konferenca përfundimtare e WBSEA, e zhvilluar në 12-14 dhjetor në Podgoricë, mblodhi së bashku aktorët më të rëndësishëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës në fushën e Ekonomisë Sociale, si përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave rinore, sipërmarrës socialë dhe përfaqësues të sektorit të punësimit të të rinjve, për të kontribuar në identifikimin e një qasjeje të re për zhvillimin e ekonomisë sociale. Eventi shërbeu si një mundësi për të prezantuar dhe analizuar praktikat në nivel evropian si dhe për të paraqitur ekonominë sociale si një instrument për të angazhuar, fuqizuar dhe krijuar mundësi për të rinjtë e rajonit.

 
 WISEs4YOUTH 

Partnerët Shqipëri së bashku me organizata partnere nga rajoni dhe Evropa po zbatojnë iniciativën WISEs4Youth për të rinjtë në Ballkanin Perëndimor, që synon zhvillimin e aftësive sipërmarrëse sociale të të rinjve në Ballkanin Perëndimor.

Programi ka sjellë dy kurrikula mbështetëse për sipërmarrësit e rinj social në Ballkanin Perëndimor, kurrikulën për (trajnimin e partnerëve) mbi Sipërmarrjet  Sociale (SE) dhe Sipërmarrjet Sociale me fokus Integrimin në Punë (WISE – Work Integration Social Enterprise), dhe Kurrikulën për menaxhimin dhe matjen e impaktit social


Kurrikulat do të përdoren gjatë trajnimeve që do të zhvillohen në vendet partnere (Shqipëri, Serbi, Maqedoni e Veriut, Kroaci, Slloveni) për të rinjtë që synojnë dhe aspirojnë të bëhen sipërmarrës socialë!

➡️ Lexoni këtu më shumë mbi këtë iniciativë
 

 EYSET – FUQIZIMI I ORGANIZATAVE RINORE NËPËRMJET SIPËRMARRJES SOCIALE NË TURIZËM 

Në kuadër të iniciativës EYSET, Partnerët Shqipëri zhvilloi në tetor workshopin “Si të nxisim sipërmarrjen sociale midis të rinjve, përfshi dhe ata me aftësi të kufizuara”.
Workshopi iu drejtua përfaqësuesve të organizatave rinore për të prezantuar dokumentet e përgatitura nga projekti EYSET për të kontribuar në ngritjen e kapaciteteve të organizatave rinore në mbështetjen e të rinjve (përfshi dhe ata me aftësi të kufizuara) që duan të jenë sipërmarrës socialë, si dhe për të diskutuar mënyra alternative për të nxitur sipërmarrjen midis të rinjve përmes shërbimeve mbështetëse të ofruara nga organizatat rinore.

Për të mësuar më shumë rreth projektit dhe aktiviteteve të tij, shfletoni këtu ➡️  buletinin e parë të projektit.

 
 RISE - ALB 
 FUQIZIMI I SIPËRMARRJES SOCIALE NË SHQIPËRI 

Kostandina Këruti, Manaxhere Programi e Partnerëve Shqipëri, ishte pjesë e një delegacioni nga Shqipëria i cili zhvilloi një vizitë studimore në rajonin e Emilia Romagnas në Itali, në 18 – 21 tetor, për të vizituar disa sipërmarrje sociale të suksesshme dhe për t'u njohur me praktika të mira që rrjedhin nga politikat e zbatuara nga institucionet vendore. 
 


 MONITORIMI I AKTIVITETIT FILANTROPIK NË SHQIPËRI  

Si pjesë e punës së saj për të promovuar aktivitetin filantropik, Partnerët Shqipëri e monitoron atë që prej vitit 2015, duke u bazuar në informacionin e mbledhur nga raportimet në media, dhe informacionet e publikuara nga institucionet publike dhe jopublike. Gjetjet nënvizojnë kauzat kryesore të mbështetura, natyrën dhe vlerën e dhurimeve, mbulimin gjeografik dhe natyrën e dhuruesve.

Vizitoni linkun në faqen tonë ku do të gjeni të gjitha raportet mujore dhe përmbledhjet vjetore të monitorimit të këtij aktiviteti që prej janarit 2015.
 

 JAVA E FILANTROPISË 2022 
 
Gjatë 7 – 11 nëntor 2022 zhvilluam edhe këtë vit Javën e Filantropisë 2022. Promovimi i figurave filantropike ndër vite, leksione të hapura me studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, fakte dhe trendet e zhvillimit të këtij aktiviteti ndër vite, event rrjetëzimi me pjesëmarrjen e aktorëve të përfshirë në aktivitetin filantropik, si dhe prezencë në media, ishin disa ndër aktivitetet e organizuara përgjatë Javës së Filantropisë. 
 
   
 
 HUB-I RINOR PËR BALLKANIN PERËNDIMOR DHE TURQINË – WB&T FOR EMPLOYOUTH 

Ekipi i projektit “Ballkani Perëndimor dhe Turqia për Punësimin Rinor” u mblodh në Stamboll në 30 nëntor – 3 dhjetor për të diskutuar rezultatet e iniciativave të zbatuara në Shqipëri, Serbi, Malin e Zi, Turqi, dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe planet e ndërhyrjeve për vitin 2023 në mbështetje të punësimit të të rinjve.  Rezultate të ndërhyrjeve të organizatave grantmarrëse në Shqipëri u ndanë gjithashtu me partnerët në projekt. 

Në një debat konsultues kombëtar të mbajtur në Shkodër në dhjetor, u ndanë gjetjet e raportit për Shqipërinë mbi “Indeksin e Pjesëmarrjes Politike, Ekonomike dhe Sociale të të Rinjve" për vitin 2021.
Ky raport do të jetë pjesë e raportit rajonal për Ballkanin Perëndimor, i cili do të lancohet së shpejti.

 

 LËVIZJA RINORE - NJË FAQE E RE PËR KOMUNITETET LOKALE 
 
Përfunduam në dhjetor serinë e kampeve për të rinjtë nga mbarë vendi! Që prej vitit 2019, në kuadër të iniciativës “Lëvizja Rinore – Një Faqe e Re për Komunitetet Lokale”, Partnerët Shqipëri ka organizuar 28 kampe rinore me pjesëmarrjen e 487 nxënësve të shkollave të mesme nga 17 qytete të Shqipërisë. 

Si pjesë e tyre janë ndërtuar dhe po zbatohen 28 nisma lokale të ndërmarra nga të rinjtë, të cilat kanë në fokus edukimin midis bashkëmoshatarëve, krijimin e hapësirave rekreative për të rinjtë, mbështetjen ndaj të moshuarve dhe fëmijëve pa kujdes prindëror, zhvillimin e laboratorëve të shkollave, ndërgjegjësimin dhe mbrojtjen mjedisore, etj.

Gjatë vitit akademik 2022-2023, të rinj nga Gjirokastra, Kukësi, Lezha, Vora, Kruja dhe Fushë-Kruja, do të zbatojnë aksionet e tyre të cilat do të promovohen gjatë “Youth Speak Out Event” në maj 2023, duke kontribuar në krijimin e modeleve nga të rinjtë për të rinjtë në mbarë vendin.

 
MEDIA - STUDIME - PUBLIKIME

 METODOLOGJIA E VLERËSIMIT TË RREZIKUT TË OJF-VE NDAJ FINANCIMIT TË TERRORIZMIT NË SHQIPËRI 

Partnerët Shqipëri ka kënaqësinë të ndajë me ju Raportin e Metodologjisë së Vlerësimit të Rrezikut të OJF-ve ndaj Financimit të Terrorizmit (TF) në Shqipëri. 

Shqipëria është vendi i dytë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pas Maqedonisë së Veriut, që ka përgatitur këtë raport bazuar në një metodologji standard të vlerësimit të rrezikut e hartuar nga Greenacre Group, me qëllim që të ndihmojë shtetet të kuptojnë rreziqet e FT-së për sektorin e OJF-ve, të vlerësojnë se sa efektivisht janë duke i adresuar këto rreziqe, dhe të jenë të aftë të demonstrojnë në mënyrë të qartë se si është arritur ky kuptim. 

Raporti është ngushtësisht në linjë me kërkesat dhe udhëzimet e FATF, dhe siç udhëzon FATF, është hartuar nëpërmjet një përqasje bashkëpunuese me përfshirjen e OJF-ve, institucioneve shtetërore dhe të zbatimit të ligjit, sektorit financiar dhe komuniteteve fetare, duke njohur interesin e përbashkët në luftën ndaj rrezikut të FT-së, përmes pjesëmarrjes së tyre në Grupin Mbikqyrës të Metodologjisë së Vlerësimit të Rrezikut të OJF-ve ndaj FT.
   
➡️ Për më shumë shfletoni Raportin

 

 HISTORI SUKSESI TË PËRFITUESVE TË PROGRAMIT TË SHOQËRISË CIVILE PËR SHQIPËRINË DHE KOSOVËN 

Broshura pasqyron përvojën e organizatave nga Shqipëria, zbatuese të granteve të Programit të Shoqërisë Civile për Shqipërinë dhe Kosovën 2018-2022. ➡️ Shfletoni broshurën
 

 STATUSI I NDËRMARRJES SOCIALE – PIKËPYETJET DHE MUNDËSITË PËR NDRYSHIM 

Ky dokument politikash, nëpërmjet analizës së procesit të aplikimit për statusin e ndërmarrjes sociale (NS) dhe atij për mbështetje financiare nga Fondi i Ndërmarrjeve Sociale (FNS), identifikon çështjet kryesore që kanë të bëjnë me barrierat në aktivitetin e ndërmarrjeve sociale, si dhe ofron rekomandime lidhur me sfidat e hasura në zbatimin e këtyre proceseve.

Kjo analizë synon t’u vijë në ndihmë institucioneve shtetërore përgjegjëse, ndërmarrjeve sociale, OJF-ve që dëshirojnë të marrin statusin e NS, donatorëve që mbështesin zhvillimin e sipërmarrjeve sociale në Shqipëri, dhe aktorëve të tjerë të interesuar. 


➡️ Shfletoni këtu dokumentin
 

  MBËSHTET SIPËRMARRJEN RINORE ! 
 VIDEO PROMOVUESE TË IDEVE TË TË RINJVE NË KUADËR TË WORK4YOUTH  

Në vijim të pjesëmarrjes në Kampet e Inovacionit, ekipet e rinjve nga zona ndërkufitare Shqipëri - Mali i Zi, u asistuan nga ekspertët përmes një programi mentorimi që i ndihmoi ata të transformojnë idetë në plane ambicioze biznesi, gati për t’u prezantuar para investitorëve dhe mbështetësve të mundshëm. Mbështetja vijoi me përgatitjen e disa videove promovuese të këtyre ideve sipërmarrëse, të cilat i gjeni në linkun më poshtë.

➡️ Mbështet sipërmarrjen rinore!

 

  TË REJAT MË TË FUNDIT NË FUSHËN E SIPËRMARRJES 
BULETINI INFORMATIV I DUA PARTNER INVEST 

Ky është një publikim i Dua Partner Invest, i cili prezanton të rejat më të fundit në ekosistemin e sipërmarrjes në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.
➡️ Lexoni këtu edicionin më të fundit, tetor - dhjetor 2022

 
TË TJERA

 TAKIM AFATMESËM I ORGANIZATAVE PARTNERE NGA BALLKANI PERËNDIMOR TË ANGAZHUARA PËR ZBATIMIN E STANDARDEVE TË FATF PËR OJF-TË 

Si organizatë partnere e Human Security Collective në Shqipëri, për zbatimin e Programit Global të GIZ mbi Flukset e Paligjshme Financiare në Ballkanin Perëndimor, Partnerët Shqipëri organizoi takimin afatmesëm të partnerëve të OJF-ve nga rajoni, të angazhuara në zbatimin e standardeve të FATF kundër financimit të terrorizmit për OJF-të.
Në takim pati shkëmbime të vlefshme përvojash dhe diskutime për të mbrojtur më tej hapësirën qytetare duke zbutur pasojat e paqëllimta që vijnë nga zbatimi i gabuar i standardeve të FATF-së, përfshirë përjashtimin e rrezikut (de-risking), përjashtimin financiar dhe shënjestrimin e padrejtë të OJF-ve.

 

 WORKSHOP RAJONAL MBI RREZIKUN E ABUZIMIT TË OJF-VE PËR FINANCIMIN E TERRORIZMIT 

Si pjesë e workshopit rajonal me temë “Rreziku i keqpërdorimit të organizatave jofitimprurëse për financimin e terrorizmit në Ballkanin Perëndimor”, organizuar nga GIZ në 15-16 dhjetor 2022 në Tiranë, prezantuam Metodologjinë e Vlerësimit të Rrezikut të Financimit të Terrorizmit për Sektorin e OJF-ve në Shqipëri, përgatitur nga Partnerët Shqipëri në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, mbështetur nga GIZ.
 

 WORKSHOP KOMBËTAR PËR RIPËRDORIMIN SOCIAL TË ASETEVE TË KONFISKUARA NË SHQIPËRI 

Klotilda Kosta, Drejtore e Programeve e PSH, moderoi diskutimin mbi përvojën shqiptare në ripërdorimin social të aseteve të konfiskuara, në Workshopin Kombëtar për Ripërdorimin Social të Aseteve të Konfiskuara në Shqipëri organizuar nga OSBE më 25 nëntor 2022. 
Workshopi ishte pjesë e aktiviteteve të Projektit "Forcimi i luftës kundër krimit të organizuar transnacional në Evropën Juglindore nëpërmjet përmirësimit të bashkëpunimit rajonal në sekuestrimin, konfiskimin, menaxhimin dhe ripërdorimin e aseteve".

 

 KRIJOHET ALEANCA E PARË RAJONALE E ORGANIZATAVE KOMBËTARE NË MBËSHTETJE TË EKONOMISË SOCIALE NË BALLKANIN PERËNDIMOR 

Organizatat partnere, aktorë në fushën e ekonomisë sociale të WB6 dhe anëtarë të Rrjetit Diesis, u mblodhën në Podgoricë më 14 dhjetor 2022 ku nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi me objektiva të qartë bashkëpunimi për arritjen e synimeve afatgjata në këtë fushë. 
Aleanca përbëhet nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, ARNO, Mladi ambasadori, LENS, CDP "Globus", COSV - Cooperazione per lo Sviluppo, ADP-Zid, Coalition for the Development of the Solidarity Economy, Public, Caritas Šabac.

 
 PARTNERS SOCIAL GATHERING 

Në nëntor organizuam një takim informal për të festuar punën dhe partneritetet tona në mbështetje të Sipërmarrjes Sociale dhe Filantropisë.
Sipërmarrës socialë, institucione financiare – mbështetës të programeve tona ndër vite, si dhe organizata të shoqërisë civile u bashkuan me ne për të festuar sukseset e arritura së bashku, për të shkëmbyer praktika dhe për të diskutuar rreth bashkëpunimit për nisma të reja interesante. 

 

 HUBI RAJONAL PËR ZHVILLIMIN E SHOQËRISË CIVILE 

Në 2-3 nëntor 2022, Qendra për të Drejtat në Punë, përfituese e granteve ad-hoc të projektit “Hubi Rajonal Për Zhvillimin e Shoqërisë Civile” zbatuar nga Rrjeti Ballkanik për Zhvillimin e Shoqërisë Civile në partneritet me Partnerët Shqipëri dhe organizatat e tjera anëtare nga rajoni, organizoi konferencën rajonale “Puna në distancë në BP6 – dhe implikimet që ajo ka mbi të drejtat e punës, gjininë dhe të drejtat sociale”.
Konferenca mblodhi sëbashku përfaqësues të insitucioneve të rajonit dhe vendase, partnerë nga organizatat e sindikatat e rajonit dhe të vendit. Tema kryesore e kësaj konference ishte "Zooming in në Punën në Distancë në BP6" për të parë më nga afër dhe më në thellësi këtë realitet të ri të krijuar si pasojë e pandemisë COVID-19. 

 

NA NDIQNI NË 
Facebook: @partnersalbania
Instagram: @PartnersAlbania
Twitter: @PartnersAlbania
Youtube: PartnersAlbania
Linkedin: Partners Albania for Change and Development



Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim
Rruga e Elbasanit, ndërtesa Park Gate, kati i 10-të,
Ap. 71 / 73, Tiranë
Tel: +355 4 2254881 ​
Mob: 0697889600  
partners@partnersalbania.org
 http://www.partnersalbania.org